📍 Sot, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Paaftësisë, një datë e shpallur nga Kombet e Bashkuara që në vitin 1992, me qëllimin për të rritur ndërgjegjësimin, për të nxitur mirëkuptimin dhe për të forcuar angazhimin e çdo shoqërie drejt barazisë, dinjitetit dhe përfshirjes.
Në Shqipëri, kjo ditë u përcoll me një aktivitet të veçantë të zhvilluar në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë, ku atmosfera ishte e mbushur me ngjyra, buzëqeshje dhe emocion. Fëmijët e qendrës pritën të ftuarit me gëzim, ndërsa dhuratat e shpërndara risollën te ta ndjesinë e festës dhe kujdesit që meritojnë çdo ditë, jo vetëm sot.
Në fjalët përshëndetëse, znj. Eugena Tomini zv.Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe znj. Klodiana Spahiu, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. Ato shprehën mirënjohje për punën e stafit të qendrës, por edhe për të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë për t’u ofruar këtyre fëmijëve shërbimet dhe kujdesin e duhur.

